Këshilltari i Metës kërkon fond për dixhitalizimin, Fino: Ju nuk harxhoni as lekët

19 Nëntor 2019, 12:16 | Përditesimi i fundit: 2019-11-19 17:50:34

TIRANE-Në komisionin e Ligjeve sot ka qenë radha e Presidencës dhe institucioneve të tjera për ankesat që kanë për buxhetin e vitit 2020. Këshilltari i kreut të shtetit Petraq Milo u shpreh se ka dy vite që Presidencës që nuk i miratohet fondi për menaxhimin dixhital.

"Buxheti i këtij viti është 252.3 milionë lekë. Shpenzime për personel 123 milionë. Kërkesat tona plotësohen vetëm ka dy vite që nuk na miratohet fondi prej 36 milionë lekë për menaxhimin dixhital një projekt në Presidencë" tha Milo.

Ndërkohë që Bashkim Fino e konsideroi Presidencën si institucionin e përkëdhelur, por pranoi kërkesën për projektin e menaxhimit dixhital. "Ju jeni të përkëdhelurit e Financave keni shumë rritje buxhetore krahasuar me 2019. Ministria e Financave ka dhënë cdo vit për presidencën 6 milionë investime.

Zoti Milo keni 6 milionë lekë investime për 2019 dhe keni realizuar 1.6 milionë lekë. Gjynah që nuk ua japim institucioneve të tjera. E mbështesim këresën tuaj për projektin e dixhitalizimin, dhe besoj se që nga viti i ardhshëm duhet të japim të paktën 10 milionë. Buxheti i 2020 është i mjaftueshëm për Presidencën" tha ai.

"Investimet janë realizuar në 47%, gjithsesi ne kemi investime në proces dhe na rezulton që ky fond do të ezaurohet. Fundviti është me ngarkesë më të lartë dhe institucioni i presidencës do ta ezaurojë" e mbylli raportimin Milo. Mimoza Dhëmbi drejtoreshë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë tha se "Nëse projekti i presidencës është gati, ne pranojmë ta përfshijmë në ciklin e ardhshëm" duke e miratuar kërkesën.