'Kilometrat stërmunduese'/Report Tv me të bllokuarit në Kakavijë: S' kthehemi mbrapsht, humbim punën

15 Gusht 2020, 19:24

KAKAVIJË- Faqet e kuqe të kësaj vajze të vogël, nuk janë bërë nga plazhi, por nga qëndrimi me orë të tëra në Kakavijë, në pritje për të kaluar drejt Greqisë. E rraskapitur nga dielli i fortë, fjetja në makinë, ajo qëndron në krahët e babait, i cili edhe pse nuk mund ta shohë fëmijën në këtë gjendje, është i detyruar që të mos kthehet mbrapsht, të vijojë pritjen me shpresën se gjërat do të ndryshojnë, pasi në të kundërtën do të humbasë punën, bukën e gojës së familjes.

"Jam që dje dhe nuk kemi lëvizur, shi si është bërë vajza, është skuqur nga vapa. Ne jemi të vendosur të shkojmë në vendin e punës tonë. Nuk presim dot. Na kanë sjellë sandëich dhe ujë, thotë ai për mikrofonin e Report Tv.Rruga e kthimit për në Shqipëri është bosh! Kur kanë kaluar më shumë se 4 ditë, edhe pasditja e kësaj të shtune ofron të njëjtën panoramë. Radhë të gjata makine që shkojnë deri në 25 km. Thirrja e autoriteteve për t'u kthyer mbrapsht, duket se nuk është përqafuar nga qytetarët, që nuk lëvizin nga aty. Grupi i xhirimit të Report Tv me gazetarin Merin Maçi udhëtuan në transmetim të drejtpërdrejt në një segment rrugor prej 7 km, nga vendi i quajtur Zervat deri në pikën kufitare të Kakavijës. Qytetarët e kalojnë pritjen në mënyrë të ndryshme. Disa të irrituar, të tjerë duke kënduar e kërcyer në mes të rrugës. Më të pafajshëm në këtë situatë duket se janë fëmijët, të cilët duke mos e kuptuar se çfarë po ndodh kërcejnë përpara kameras.Ajo që bie më shumë në sy gjatë këtij udhëtimi, janë botet me ujë, si e vetmja shpresë për të shuar etjen e temperaturave 40 gradë celsius.

Të gjitha këto vështirësi duket se nuk mjaftojnë për t'i bindur qytetarët që të kthehen mbrapsht.

"Prej dy ditësh jemi këtu. Si ndodhi këtë radhë nuk ka ndodhur ndonjëherë. Kjo është përgjegjësi e ministrisë së brendshme, e dinin se si do ishte situata, ose ta bllokonin fare kufirin. Atje kam shtëpinë. Unë do bëj testin që vlen për 72 orë, po do vij këtu dhe do rri 72 orë tjetër. S'dimë as ku ta bëjmë testin. Ca do bëjmë?

"Jam me letra greke, nuk kthehemi dot jemi në punë" , tregojnë për miktrofonin e Report Tv qytetarët.

Një tjetër, propozon një zgjidhje, e cila sipas tij, mund të lehtësonte situatën që vijon prej 4 ditësh në Kakavijë.