Shqipëria dhe Kina festojnë këtë vit 70 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike por vitet e fundit lidhjet ndërmjet dy vendeve janë forcuar dhe intensifikuar. Kina mbetet partneri i dytë më i madh tregtar i Shqipërisë duke pasur kështu një peshe të rëndësishme në ekonominë vendase. Nga Kina importohen makineri, pajisje, pjesë këmbimi, materiale ndërtimi, metale, si dhe tekstile dhe këpucë. Ndërsa eksportohen kryesisht minerale.
Kryeministri Edi Rama tha se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve duhet të rritet duke respektuar perspektiven e secilit. Kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se me vënien në jetë të “Shengenit Ballkanik”, turistët kinezë do të futen pa viza në shtetet që do të bëhen pjesë e këtij projekti. Por pesha me e ndjeshme e gjigantit aziatik reflektohet padyshim tek investimet. Me blerjen nga kompanitë kineze të aeroportit “Nënë Tereza” dhe “Bankers Petroleum”, Kina u bë investitori më i madh në Shqipëri.
Kompania e prodhimit të naftës, Bankers Petroleum Albania e cila operon në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës renditet ndër 5 kompanitë më të mëdha në vend, ndërkohë që gjeneron të ardhura të rëndësishme për buxhetin e shtetit. Kompania përllogaritet të ketë investuar një total prej 3.5 miliardë dollarë përgjatë aktivitetit të saj. Në vitin e kaluar Bankers ka paguar qeverisë dhe Albpetrol rreth 36 milionë dollarë për rentën minerare, ASP dhe PEP.
Burime zyrtare pranë Bankers kanë konfirmuar se deri në fund të muajit tetor të vitit 2019 kompania ka paguar mbi 41 milionë dollarë taksa për buxhetin e qeverisë qendrore dhe asaj lokale, ku gjysma dominohet nga renta minerare me mbi 28 milionë dollarë. Të dhënat tregojnë se Bankers dominon të ardhurat nga kjo taksë, duke përfaqësuar 80% të saj në rang vendi.