Kina tregon muskujt në 70 vjetorin e Republikës Popullore

1 Tetor 2019, 10:35

Kina ka festuar dje 70 vjetori e Republikës Popullore me një sërë aktivitetesh madhështore dhe plot ngjyra.

Përpara nisjes së Paradës Ushtarake, Presidenti kinez Xi Jinping shpërndau 42 medalje ‘Heroi’ për ata që kanë patur kontribute të shquara shkencore dhe ushtarake si dhe 6 medalje ‘Miqësie’ për mbështetësit e Kinës.

“Asnjë forcë nuk mund ta trondisë Kinën”, ishte ky mesazhi i Presidentit Xi Jinping gjatë fjalimit që ai mbajti përpara se të inspektonte trupat e paradës ushtarake për 70 vjetorin e lindjes së Republikës.

"Ne duhet të qëndrojmë të përkushtuar ndaj strategjisë së ribashkimit paqësor dhe një vendi me dy sisteme," tha Xi Jinping duke iu referuar çështjeve të Hong Kongut, Macao dhe Tajvanit.

Pas fjalimit, në sheshin Tienanmen, nisi sfilata e trupave ushtarake dhe armëve. Për herë të parë në paradë u ekspozuan raketat balistike ndërkontinentale edhe Df-41, të afta për të transportuar deri në dhjetë testata bërthamore, që përbëjnë dhe një kërcënim të mundshëm për gjithë territorin e SHBA.

Ndër armët e tjera që u shfaqën ishin dhe avionët supersonike, të aftë për të fluturuar me një shpejtësi pesë herë më të lartë se shpejtësia e zërit. Për analistët ushtarakë, këta lloj avionësh janë kërcënim për stabilitetin rajonal sepse shpejtësia e tyre e lartë e bën shumë më të vështirë zbulimin dhe përgjimin e tyre.