Kinemaja shqiptare në Austri, katër filma të Xhanfise Kekos në Muzeun e Filmit Austriak

14 Mars 2019, 14:38 | Përditesimi: 14 Mars 2019, 14:38

Kineastja Iris Elezi do të prezantojë kinematografinë shqiptarë jashtë vendit. Bëhet fjalë për një nga institucionet më të rëndësishme botërore, Muzeu Austriak i Filmit në Vjenë dhe Festivali i filmit Crossing Europe në Linz, të Austrisë.

Drejtoresha e Arkivit Qendror të Filmit, Elezi, është përzgjedhur për të qenë pjesë e programit Spotlight, si një nga zërat e spikatur femëror të kinematografisë europiane, por edhe për punën, që është duke bërë për ruajtjen edhe promovimin e trashëgimisë kinematografike shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.  

Katër filma artistikë të para viteve ’90, të regjisores Xhanfise Keko, si “Mimoza Llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Kur po xhirohej një film”, apo filmi fort i dashur për shqiptarët, “Përrallë nga e kaluara” i Dhimitër Anagnostit, realizuar pas ndarjes nga jeta të diktatorit, dokumentari i kritikut Mark Cousins, “Këtu ka dragonj”. Dhe dy filma të tjerë, “Bota” nga regjisorja Iris Elezi, dhe “Nëntori i ftohtë” i Ismet Sijarinës.

Ndonëse 29 vite pas rënies së diktaturës, për prodhimet filmike, që janë realizuar ka pasur shumë debate, për mos shfaqjen e tyre, kineastja Iris Elezi vazhdon që të promovojë kinematografinë shqiptare, për të sensibilizuar publikun për realizimin e filmave në kohën e Kinostudios.

Iris Elezi i përshkruan përpjekjet e saj për një rivlerësim kritik të trashëgimisë kinematografike shqiptare, që pa dyshim do të luajë rol në edukimin për identitetin kulturor, si: "Ne duhet të çlirohemi nga kjo amnezi kolektive".

b.ha./Shqiptarja.com