Klasikja e Francës kthehet në arenë boksi, 5 të kuq dhe plot të verdhë në Paris SG-Marseille

14 Shtator 2020, 11:58

E gjithë bota po flet për të dhe madje e kanë quajtur edhe ndeshja e turpit. Klasikja e futbollit francez mes PSG-së dhe Olimpikut të Marsejës u kthye në fund fare në një fushëbetejë mes lojtarëve duke mos lënë asnjë imazh të mirë për futbollin.

Marseja e fitoi ndeshjen me golin e Florian Thauvin me rezultatin 1-0 por për ketë shumë pak mund të flitet. Ndeshja e luajtur në praninë e një numri të vogël tifozësh pati deri në 12 kartona të verdhë dhe 5 lojtarë u përjashtuan me karton të kuq tre nga radhët e PSG-së dhe dy nga Marseja. Ndeshja ishte e tensionuar por kapaku iu vu në fund.

Në kohën shtesë pas një faulli në mesfushë nisi një sherr  masiv mes futbollistëve dhe të parët që u ndëshkuan direkt me të kuq ishin Kurzawa dhe Amavi që u goditën me grushte ndërsa më pas u ndëshkuan me karton të kuq edhe Paredes dhe Benedetto që morrën kartonin e dytë të verdhë. Dhe në fund u ndëshkua edhe Neymar pas një debati verbal me spanjollin e Marsejës Alvaro Gonzales të cilin e gjuajti pas koke dhe për të cilin braziliani tha se “ është një racist prandaj e qëllova”.

Më pas braziliani ka rrëfyer se mbrojtësi i Marsejës i ka thënë” Mbylle gojën majmum”. Por këto episode në fund të ndeshjes nuk kanë qënë të vetmet. Di Maria ka pështyrë kundërshtarin Alvaro gjest i dënueshëm duke qënë se jemi edhe në pandemi por VAR nuk e ka dënuar argjentinasin. Klasikja e futbollit francez mbyllet me akuza për racizëm, të pështyra, 5 kartona të kuq dhe grushte. Marseja fiton në kryeqytet pas 10 vitesh ndërsa PSG pëson humbjen e dytë në po kaq ndeshje/ Përgatiti Andi Kapxhiu.