Protesta e dhunshme te 'Astiri' ish deputeti Klevis Balliu del para gjykatës

9 Maj 2019, 13:59 | Përditesimi i fundit: 2019-05-09 14:50:21

Ish-deputeti Klevis Balliu ndodhet në Gjykatën e Tiranës i ulur në bankën e të akuzuarit për protestën e dhunshme të dy ditëve më parë në zonën e Unazës së Re. Në mbështetje të tij në seancë shkuan ish-deputetë të djathtë, si Edmond Spaho, Genc Pollo, Albana Vokshi, Ervin Salianji, dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Nga kafazi i të akuzuarit Klevis Balliu u përgjigj duke dhënë gjeneralitetet e tij të sakta. Balliu dha para gjyqtares Rexhina Merlika se është 30 vjeç, tregoi adresën e banimit, u shpreh se ka arsim të lartë, është beqar dhe i padënuar më parë. Ndërsa mbrohet nga dy avokatë, njëri prej tyre Genc Gjokutaj.

Gjashtë janë akuzat që rëndojnë mbi Balliun: Goditje për shkak të detyrës, kundërshtim me dhunë i policisë,organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, pengim i qarkullimit të mjeteve, shkatërim prone, prishje e qetësisë publike.

Ndërkohë të arrestuar me të janë edhe tre protestues të tjerë, banorë të zonës së 'Astirit', që së bashku me Balliun tentuan të pengojnë kalimin e kryeministrit Rama që do shkonte tek një fabrikë mielli. Lulzim Haqinaj, Elton Skënderi Sit Hajdarasi bashkë e Balliun u konfrontuan me policinë, ku mbetën të plagosur edhe 4 efektivë.