KLGJ i hap rrugë Gjykatës Speciale, do të gjykojë politikanët pas vitit 1990

7 Korrik 2019, 11:54

Viti 2019 do të shënjojë finalizimin e zbatimit të reformës në drejtësi. Pesë vjet pas nisjes së diskutimeve për reformën në drejtësi dhe tre vjet pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese, organet e drejtësisë së re janë në prag të finalizimit. Krahas nisjes së procedurave për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme dhe plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka hapur rrugë konstituimit të Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë dosjet që do të referohen nga SPAK-u, për të gjitha veprat penale të korrupsionit si dhe për çdo akuzë penale për pushtetarët dhe ish-pushtetarët e lartë që nga viti 1990 e këtej.

Përmes një raporti të depozituar në Kuvend mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ informon Kuvendin se 22 gjyqtarë pranë gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit për Krimet e Rënda kanë dhënë pëlqimin për të shërbyer në Gjykatën e Posaçme apo siç njihet ndryshe Gjykatën Speciale. “KLGJ nisi procedurën për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar duke i hapur rrugë krijimit të këtyre gjykatave. Krijimi i gjykatave të posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar përbën një gur themeli, në arritjen e pritshmërive që ka opinioni publik sa i përket reformës në sistemin e drejtësisë.