KLGJ vendos zhvillimin e seancave pa median e publikun! Avokati Vishaj për Report Tv: Seanca është publike, ndryshe quhet e pavlefshme

1 Shtator 2020, 14:17

Avokatët i kërkojnë Këshillit të Lartë Gjyqësorë që prej katër shtatorit kur gjykatat të nisin seancat të hapin dyert për publikun dhe mediat.

Në një intervistë për Report Tv kreu i avokatëve penalist Saimir Visha tha se një seancë pa publik është e pavlefshme.

"Seanca pavarësisht se jemi para një akti normativ apo vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor konsiderohet e pavlefshme. Nuk mund të konceptohet seanca gjyqësore, sidomos seanca gjyqësore të shkallës së parë të zhvillohen me dyer të mbyllura. Është jashtë procedurale, pavarësisht nga pandemia. Të dy dispozitat edhe neni 399 dhe 340 të Kodit të procedurës Penale nuk e përjashtojnë median nga publikimi i seancave", tha Visha.