Klienti i shoqes së Argita Berishës, Stream Petroleum Albania Limites pagoi 76276 euro dhe Berisha firmosi VKM-në për 4 vendburime të hidrokarbureve

22 Mars 2021, 21:39 | Përditesimi i fundit: 2021-03-22 22:49:18

Me ‘’metodën Berisha’’ nuk ka fat as investimi i projektuar nga Unifi, shoqëri e huaj që përpiqet të realizojë në Shqipëri një linjë nënujore me fibra optike për të lidhur Shqipërinë me Italinë. Një tjetër investim që kërkon mbështetjen e qeverisë. Unifi Holding LCC hap një filial në Shqipëri. Shoqëria mëmë e regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e drejtuar nga Adrian Shatku, një shqiptar nga Peshkopia, i cili ka ngritur biznesin e tij të fuqishëm në Nju Jork. Me administrimin e degës së Tiranës ngarkohen Florian Shatku dhe Enkeleda Shatku, dy familjarë të afërt të bosit të madh, Adrian Shatku. 

Edhe këtë herë hyn në skenë Argita Berisha: Unifi Communications Inc derdh në llogarinë e Flutura Kolës një këst të parë prej 7.656 euro, të mjaftueshme vetëm për të nisur një studim për mundësinë e realizimit. I përpiktë, ndërhyn baba Sali Berisha. Me 21 tetor 2010 Berisha firmos vendimin e këshillit të ministrave me numër 840 me të cilën lejon ‘’Shoqërinë UNIFI Holdings Inc. - dega Shqipëri, për të kryer studimin përkatës dhe për shtrirjen e kabllos nëndetare ndërkombëtare me fibër optike Bari (Itali) - Gjiri i Lalzit (Shqipëri)’’. I dyshimtë edhe fakti që stacioni i nisjes së linjës nënujore të ishte hipotizuar pikërisht Gjiri i Lalzit, ku familja Berisha ka lagjen e vet dhe pronat. Por kablloja nënujore nuk u vendos kurrë dhe investimi deshtoi për të gjithë, përveçse për Flutura Kolën dhe ortaken e saj Argitën, që thjeshtë për atë VKM të mbetur pa vazhdimësi, futën në arkë 7.500 euro, shumë që një qytetar shqiptar nuk e arkëton as për një vit pune. Në fakt për Argitën është një shifër e papërfillshme, pasi janë të tjera shifrat që ajo merr për konsulencat e saj, sidomos kur bëhet fjalë për konçensione për shfrytëzimin e burimeve të naftës në vend.  

Por pse shumë sipërmarrës, pikerisht kur duket se kanë vendosur biznesin e tyre në rrugën e duhur dhe kanë gjetur kontaktin e duhur politik, papritmas vendosin të tërhiqen? Një përgjigje jepet nga njëri prej tyre, pakistanezi Zafar Ansar, i cili pasi filloi marrëdhënien e konsulences me Argita Berishën dhe pasi mori faturën e parë, siç bëjnë shumë të tjerë, u tërhoq. Pse? Këtë herë është Zafar Ansa që e zbulon atë. Siç ka treguar vete dise vite me vone ne Top Chanel duke ekspozuar edhe provat, në fund të vitit 2007 edhe ai si shume te tjere kontaktoi me Argita Berishën për të bërë një investim 100 milion euro në Shqiperi në ndërtimin e një termocentrali. Ka qene ambasadori shqiptar në Arabinë Saudite Admir Banaj ai qe i ‘’sugjeroi’’ vajzën e kryeministrit si ''një konsulente me kontaktet e duhura ''. Zafar Ansar bëhet kështu klient i Argita Berishës. Shkëmbimi i postës elektronike midis Zafar Ansar dhe Argita Berishës ku referohet Flutura Kola vetëm për çështjen e pagesave, është prova më e qartë se si vajza e kryeministrit ka përdorur studion e Flutura Koles si mbulim. 

Për Argita Berishën marrëdhënia me investitorin pakistanez është një mundësi e artë edhe sepse ajo përpiqet t'i shesë tokën në të cilën do të ndërtojë termocentralin: në realitet është e njëjta tokë dhe e njëjta zonë ku ajo së bashku me burrin e saj Jamarber Malltezi dhe Flutura Kola me burrin e saj po blejnë tokë që Sali Berisha do të përfshijë më pas në parkun energjetik te Porto Romanos, duke dyfishuar vlerën e saj. Në një nga email me Zafar Ansar te zbuyluar nga Gazeta Tema disa vitet me pare,  Argita i kërkon atij që ''të vendosë shpejt për tokën’’ sepse ajo është "nën presion nga agjentët në terren’’. ‘’Agjent në terren’’, pra sekseri, është burri i saj, Jamarber Malltezi. Zafar Ansar i cili është një sipërmarrës me përvojë fillon të bëhet i dyshimtë. Nga studio e Argites më pas merr propozimin e çuditshëm qe në vend që të paguajë shërbime konsulence në orë, mund te paguhet një shumë ndërmjet 1.5% dhe 3% të vlerës totale të investimit nëse investimi përfundon mire. Eshte ajo qe Flutura Kola quan ‘’success fee’’. Pra Argita Berisha pretendon nga 1.5 deri 3 milion euro për një koncesion që varet nga babai i saj. Zafar Ansar refuzon dhe në atë moment detyrohet të heqë dorë edhe nga investimi. A u ndodhi kjo edhe investitorëve të tjerë të cilët, siç e kemi parë, kishin filluar mirë dhe më pas u tërhoqën papritmas?  Për disa investitore, megjithatë, biznesi shkoi më mirë. 

Mes klientëve të studios ligjore të Argita Berishës dhe që përfiton nga favoret e Sali Berishës, është edhe Stream Petroleum Albania Limited. Shoqëria themelohet në Shqipëri me 5.10.2007 si branch shqiptar i kompanisë kanadeze Stream Oil & Gas. Pas një seri procesesh gjyqësore, tani ka ndryshuar emrin në “Transantlantic Albania LTD”. 

Nga verifikimet bankare të kryera nga Agjencia antiriciklim mes janarit 2007 dhe tetorit 2008 zbulohet se Stream Oil & Gas i paguan studios Kola & Associates 57.486 euro dhe pastaj direkt i paguan Flutura Kolës një faturë te dyte 7.200 euro dhe një faturë te trete  11.590 euro. Edhe në këtë rast mungesa e dokumentacionit pas 16 dhjetorit 2008 e bën të pamundur verifikimin se në ç’mënyrë ka vazhduar marrëdhënia financiare mes shoqërisë dhe studios së konsulencës të lidhur me vajzën e kryeministrit. Ajo që është e qartë, është se çfarë përfiton Stream Oil falë asaj mbështetje. 

Në të njëjtën periudhë që Stream Oil paguan 76.276 euro, Baba Berisha urdhëron Albpetrolin (shoqëri publike e kontrolluar nga qeveria) për të lëshuar konçensionin për 4 burime nafte. Pastaj I takon atij të firmosë. Me 8 gusht 2007 qeveria Berisha voton Vkm numër 509 me të cilën autorizon lidhjen e ‘’marrëveshjeve hidrokarbure, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimet Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj dhe në vendburimin e Delvinës, ndërmjet Albpetrol sha-së dhe Stream oil & gas limited’’. Edhe historia e Stream Oil në Shqipëri, me të rënë qeveria Berisha, u transformua në një konflikt institucional me Ministrinë dhe Drejtorinë e Tatimeve që përfundoi në gjykatë.