Klienti i shoqes së Argita Berishës, Superbeton shpk pagoi 62400 euro dhe një nga ortakët fitoi tender për rrugën kryesore

22 Mars 2021, 22:52

Argita dhe Sali Berisha nuk janë të përfshirë vetëm në një konflikt interesi mes at e bijë, në të cilën klientët privatë të Argitës marrin favore nga qeveria e Saliut. Në disa raste konflikti i interesit bëhet i dyfishtë. Ndodhi me kompanine Superbeton shpk, që në periudhën mes 2007 dhe 2008 i paguan studios Kola & Associates 46.800 euro, ndërsa në llogarinë private të Flutura Kolës derdh 15.600 euro: në total 62.400 euro të paguara nga një shoqëri që është pjesërisht publike, pra e kontrolluar nga vetë Sali Berisha.  

Superbeton shpk është një shoqëri e përzier publiko-private e ngritur në 28.09.1993. Në momentin kur shoqëria paguan studion e konsulencës të lidhur me familjen e kryeministrit, kontrollohet me 30 % nga ministria e Ekonomisë e drejtuar nga Genc Ruli dhe me 51% nga firma private Euroteorema që kur ka qene Berisha ne pushtet ka fituar dhjetëra tendera për realizimin e veprave publike. Për shembull pikërisht mes 2007 e 2008 kur studio e Argitës arketon 62.400 euro, Euroteorema fiton një tender për ndërtimin e rrugës nacionale Dhërmi-Himarë-Qeparo. Kush ka vendosur për të paguar këtë shumë të madhe në favor të studios Kola-Malltezi? Ministri që merr urdhëra nga Sali Berisha, apo shoqëria private që merr nga Sali Berisha tendera? 

Rreth aktivitetit të konsulencës ligjore të Argita Berishës dhe klanit politiko-familjar që krijoi mes 2005 dhe 2013 kryeministri, gërshetohen një seri aferash milionere që përbëjnë gjithnjë një konflikt të hapur interesi dhe që ndonjëherë bëhen skandale të vërteta. Si historia e errët e parkut energjitik të Porto Romanos, një tjetër aferë e Sali Berishës për të favorizuar biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç, edhe ai superfinancues i klanit të familjes Berisha jo vetëm përmes studios së Flutura Kolës, por, këtë herë, duke paguar drejtpërdrejt Jamarbër Malltezin, Argita Berishën dhe duke perdor si administrator Erion Isufin, kunatin e Lulzim Bashës. Një xhiro marramendëse parash prej miliona eurosh, me prejardhje nga parajsa fiskale dhe të konvertuara më pas në cash. Mënyra më e sigurtë për të korruptuar, pa lënë gjurmë. 

 Dhe pikërisht për këtë histori tjetër gjigande korrupsioni dhe mashtrime ndaj fshatarëve dhe pensionistëve që i kanë shitur tokat Jamarber Malltezit me ½ e vlerës, do të flasim me fakte dhe dokumente në investigimin e ardhshëm duke treguar prapaskena të pabotura ndonjëherë më parë.