Klosi: Investimet e kanë shndërruar Belshin në një destinacion turistik

25 Mars 2018, 14:50 | Përditesimi: 25 Mars 2018, 14:50

Në panairin lokal të Belshit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit z. Blendi Klosi u informua nga banorë të zonës, për rritjen e prodhimit të bimës tejet të kërkuar të shafranit. Kjo bimë dhe produkte të tjera lokale kanë nisur të shndërrohen në biznesin e qindra familjeve të Belshit, qyteza turistike përgjatë liqeneve të të cilit janë duke u zhvilluar edhe bujtina dhe guesthouse turistike.

Modeli i ngritur në fshatin Seferan, një nga 100 fshatrat turistikë tashmë është një nxitje për të gjithë fshatrat e zonës. Ministri Klosi i njohu banorët e zonës me fondet në dispozicion të agroturizmit gjatë një takimi me komunitetin dhe përfaqësues të pushtetit lokal, Bashkimit Europian në bashkinë e Belshit në kuadër të projektit “Bashkitë në BE”. Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u bëri thirrje banorëve të aplikojnë për mbështetje financiare pikërisht nga fondet shtetërore të agroturizmit. Këtë mbështetje financiare që shkon deri në 200 milion lekë të vjetër për çdo përfitues, e marrin ata që zhvillojnë një produkt tradicional shqiptar, apo ngrenë struktura turistike me karakterista lokale. “Zonat rurale duhet shndërrohen në destinacione të vërteta ekonomike dhe bashkia e Belshit me pasuritë natyrore që zotëron ka të gjitha mundësitë për t’u shndërruar në një nga pikat më turistike të vendit”- tha ministri Klosi