Klosi: Shqipëria të paraqitet si destinacion i vërtetë europian për turizmin

28 Korrik 2019, 15:51

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë shqiptarë dhe të huaj në 'Turtle Fest' Drimadhes ka deklaruar se tashmë është koha që Shqipëria të paraqitet si destinacion i vërtetë Europian për turizmin.

Klosi ka shtuar se vitin e ardhshëm, do të ketë festivale disa herë më të mëdha në vendin tonë me qëllim që të krijohen destinacione të reja për të vizituar. Sipas Klosit këto festivale nuk janë vetëm muzikore por japin edhe të ardhura të mëdha.

Turtle Fest rikthehet me të njëjtën energji, me mijëra turiste pjesëmarrës nga e gjithë bota, disa herë më i konsoliduar, me më shumë eksperiencë në edicionin e tij te 8-ë. 3 netë spektakël në natyrë me performancën e mbi 45 DJ-e të njohur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Europa mblodhën bashkë të rinj nga gjithë bota, që shijojnë jo vetëm muzikën, por edhe bukuritë e jashtëzakonshme të jugut, siç është plazhi i Drimadhës.

Turtle festë nisi para 8 vitesh, si një iniciative tepër modeste e Turtle Camp, që është një nga kampingjet e para në zonën. Nisi si një takim mes miqsh, DJ dhe dashamirësisht të muzikës dhe sot pas 8 vitesh jemi krenare që mund të themi që ka marrë një përmase deri diku industriale si prodhim dhe tashme është jo vetëm një festival, por një platforme qe ka shumë komponent. Ne mundohemi që përmes Turtle Fest të krijojmë një aktivitet rinor, të komunikojmë mesazhe, shije dhe të promovojmë një nga bukuritë e plazhit të jugut, si Drimadhës”, tha Rubin Beqo, organizator i Turtle Fest.

Për ministrin Klosi, i cili ndoqi ditën e dytë të festivalit, ku sipas organizatoreve kishte nje pjesëmarrje prej 2 mijë të rinjsh, në vetëm 1 natë, ky nuk është vetëm një event muzikor, por një praktike pune e konsoliduar, që prodhon të ardhura jo vetëm për organizatorët, por edhe për njerëzit e komunitetit, për ata që shërbejnë në këtë festival.