KLP-ja kërkon shoferë për anëtarët! Fino: Absurde! Po ulim nivelin e bisedës

18 Nëntor 2019, 14:22

Kryetari i KLP-së Gent Ibrahimi kërkoi në komisionin e Ligjeve që në buxhetin për vitin 2020 të shtohen 6 shoferë, 4 sekretarë dhe specialistë IT-je, kërkesa që u rrëzua pas shumë debateve. "Ka një dallim mes tavaneve buxhetore të dhëna nga ministria e Financave dhe kërkesat e këshillit. Totali i diferencës është 214 milionë lekë mes tavanit dhe kërkesës. Një pjesë e shtesave që propozohen në 2020 ka lidhje me shtimin e punonjësve në administratë. Ne kërkojmë që të kemi 4 sekretarë më shumë. Me logjikën e ligjit katër komisionet, prandaj duhet të kryejnë funksionin në mënyrë optimale dhe prandaj duhen dhe katër sekretaret. Një shtesë tjetër ka të bëjë me numrin e shoferëve pranë KLP. Kemi vetëm 7 shoferë.

Gjatë këtij viti kemi pasur rastin të diskutojmë për statusin e KLP. Në këto kushte trajtimi i anëtarëve për transport duhet të zgjidhet. Si për KLGJ duhet të bëhet dhe për KLP. Duam dhe 6 shoferë. Specialistin e IT-se, kemi vetëm një të tillë. Na duhet dhe një tjetër" tha ai. Por, relatori i buxhetit Bashkim Fino e kundërshtoi. "Ju keni 7 shoferë dhe kjo është absurde, që të kërkoni rritjen e numrit të shoferëve dhe sekretarëve. Është gjynah të ulim nivelin e bisedës për buxhetin. Buxheti për KLP është 73% më shumë" tha Fino.

Ndërkohë që Adriatik Alimadhi nga opozita nuk kurseu batutat drejtuar Finos. "Zotëria është nga Gjirokastra dhe qeveria ka gjetur njeriun e duhur për buxhetin". Megjithatë Ibrahimi këmbënguli sërish "Çështja e shoferëve ka të bëjë me statusin dhe cdo anëtar i KLP-së ka statusin dhe këta funksionarë mbështeten me shërbimet e një drejtuesi mjeti. Jemi përpara domosdoshmërisë për këtë shërbim. Unë sot e kam marrë vesh se do të diskutohet buxheti. Por kujtoni se cështjet e statusit të anëtarëve të anëtarëve të KLP-së nuk janë të diskutueshme dhe negociueshme" tha Gent Ibrahimi.