KLSH: Koncesionet rrezik për borxhin publik, PPP-të nuk monitorohen siç duhet nga institucionet

16 Tetor 2019, 21:33

TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një sërë shkeljesh në kontratat koncesionare, gjatë auditimit të kryer për buxhetin e vitit të kaluar. Sipas këtij institucioni është shqetësues fakti që shumica e kontratave të nënshkruara janë të iniciuara nga privati, në formën e ofertës së pakërkuar.

Përveç këtij shqetësimi KLSH po ashtu kritikon ashpër institucionet përgjegjëse edhe për mungesën e monitorimit të portofolit të PPP-ve ekzistuese, për të verifikuar nëse nga këto kontrata është përfituar aq sa pritej.

Raporti vazhdon edhe më tej duke sqaruar se mungojnë pas pasqyrat financiare për këto projekte, dhe se referuar të dhënave aktuale në lidhje me 11 kontratat koncensionare rezulton se shpenzimet faktike nga buxheti i shtetit rezultojnë në shumën 6,493 milionë lekë.

Me ndikim negativ në buxhetin e shtetit është konstatuar se është kontrata koncesionare e Check-up ose e njohur ndryshe kontrolli bazë mjekësor, pasi auditimi i kryer ka konstatuar se numri i përfituesve vijon në ulje nga viti në vit, ndërsa kostot e pajustifikuara sipas KLSH-së kanë nisur që në fillim të kontratës me 182 milionë lekë dhe pagesat e pajustifikuar e TVSH nga fillimi i kontratës në vlerë 413.7 milionë lekë.

Për këto arsye KLSH sugjeron që të merren në konsideratë edhe kostot financiare që mbartin këto projekte, të cilat mund të ndikojnë në borxhin publik, si dhe i kërkohet Ministrisë së Financave që të raportojë në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit, që kërkojnë që këto kontrata të raportohen në stokun e borxhit publik. Sa i takon borxhit, Partia Demokratike nëpërmjet ish-deputetes Jorida Tabaku thekson se borxhi është 71.6%.

“E vërteta  është se borxhi publik është 71.6% dhe ky sërish nuk është borxhi real përfundimtar, pasi aty nuk është përfshirë  borxhi 2,2 miliardë euro nga PPP-të korruptive. Nëse do të llogariteshin në mënyrën e duhur dhe sipas standarteve të kërkuara nga FMN dhe Banka Botërore, atëherë vlera reale e Borxhit Publik do të ishte 81%", u shpreh Tabaku.

Deklarata e Tabakut vazhdon edhe më tej duke thënë informaliteti i lartë dhe manipulimi shifrave të buxhetit kanë bërë sot që të mos kemi praktikisht fare shërbime publike, investime në infrastrukturë.