KLSH: Midhjet që konsumojmë nuk kontrollohen! 'Bujqësia' ka dështuar me peshkimin e paligjshëm

22 Janar 2020, 10:37

TIRANE-Kontrolli i Lartë i Shtetit e cilëson si të dështuar politikën e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për plotësimin e kuadrit ligjor të peshkimit dhe akuakulturës. Në raportin e publikuar nga KLSH-ja, theksohet se anijet e peshkimit kryejnë aktivitet pa qenë të pajisura me pajisjen përkatëse të identifikimit dhe lokalizimit automatik. Gjithashtu Inspektorati i Peshkimit nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme dhe mjete logjistike të përshtatshme e bashkëkohore për të inspektuar të gjithë vijën bregdetare që ka vendi ynë, sipërfaqen e ujërave të brendshme dhe zinxhirin e aktivitetit.

Një tjetër pikë e kritikë e fortë që theksohet në raport lidhet me portet e peshkimit të vendit tonë, që sipas KLSH-së menaxhohen në mënyrë jo efektive dhe kanë probleme të dukshme në infrastrukturë. "Asnjë nga katër portet e peshkimit nuk ka kapacitet e duhura ankoruese për të gjithë flotën e peshkimit". Problemet nuk janë vetëm në infrastrukturë, por edhe përsa i përket kontrollit. KLSH-ja ngre alarmin se në qendrën e grumbullimit në Sarandë sasia e midhjeve të hedhura në treg nuk klasifikohet dhe certifikohet nga kjo qendër sipas kërkesave ligjore."Konsumatorët konsumojnë midhje pa asnjë kontroll" thuhet në raport.Një tjetër probmelatikë lidhet me rasatin e Koranit në Lin dhe Krapit në Zvezdë. "Ekonomitë e rritjes së rasatit të Koranit në Lin dhe Krapit në Zvezdë nuk furnizohen mjaftueshëm me ujë dhe cilësia e tij nuk është në parametrat e duhura. Ekonomia e Linit nuk ka një mol i cili do të ndihmonte për të rritur efektivitetin e procesit të hedhjes së rasatit në liqen. Ekonomia e Zvezdës nuk punon me kapacitet të plotë pasi nuk arrin të furnizohet mjaftueshëm me ujë" mbyllet raporti.