KLSH: Prej 3 dekadash s'ka inventar për pyjet, moratoriumi s'funksionoi, asnjë gjobë s'u arkëtua

13 Gusht 2019, 18:35

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raportin e auditit për periudhën 2016 – 2018 mbi efektivitetin e menaxhimit dhe administrimit të fondit pyjor dhe kullosor duke dalë në përfundimin se strategjia për zhvillimin e sektorit në Shqipëri ka qenë tërësisht e pa përditësuar e rrjedhimisht jofunksionale, duke bërë që prej disa vitesh sektori i pyjeve të funksionojë pa objektiva dhe drejtime të qarta strategjike.

Në raport theksohet se numri i lartë i shkeljeve të konstatuara dhe mungesa e arkëtimit të sanksioneve administrative kanë cenuar zbatimin e moratoriumit për pyjet në Shqipëri. Një tjetër problem lidhet me mungesën e inventarizimit të pyjeve, që sipas është KLSH-së për një periudhë prej më shumë se tre dekadash duke bërë që informacioni mbi fondin pyjor të jetë jo plotësisht i saktë dhe i pa përditësuar. KLSH deklaron se ligji që aktualisht rregullon fondin pyjor në Shqipëri është miratuar që në vitin 2005 dhe ka ndryshuar 7 herë gjatë kësaj periudhe, ndërsa shton se abuzimet në pyje nuk vijnë vetëm nga persona individualë, por edhe nga kompani të organizuara sipas të gjitha dispozitave ligjore.