Klubet e Superligës rinisin stërvitjet në bazë të protokollit, flasin protagonistët e mjekët

19 Maj 2020, 14:53

Me referim të protokollit të masave të sigurisë ekipet e futbollit në Shqipëri nisën stërvitjet e ndërprera për më shumë se dy muaj për shkak të koronavirusit, me qëllim rifillimin e kampionatit dhe mbylljen e sezonit në fushën e blertë.  Partizani është një nga ata klube që nuk lejon asnjë lojtar të futet në fushë pa iu matur temperatura, ndërsa trajneri Adolfo Sormani lidhur me rifillimin e ndeshjeve thotë:

“Për të nisur kampionatin varet nga qeveria dhe jo qeveria e futbollit. Në momentin që do të jenë kushtet e përshtatshme atëherë duhet të rifillojmë. Atëherë, duke patur parasysh kohën që kemi në dispozicion si dhe temeperaturat mendojmë se do të kemi shumë dëmtime, siç ndodhi me Gjermaninë,”-shprehet Adolfo Sormani.

Edhe te Vllaznia ka nisur stërvitja, por në seancën e parë të zhvilluar të hënën pasdite mungoi trajneri Mirsad Jonuz dhe katër lojtarë maqedonas të mbetur jashtë kufirit. Për të mbikqyrur stërvitjen ishte edhe doktori i klubit Zyhdi Çoba, që i pyetur nëse i kanë mundësinë klubet shqiptare të zbatojnë protokollin e masave përgjigjet:

“Për momentin për mu asnjë ekip nuk është në gjendje. Kjo kërkon kushte speciale. Në rast se ne na duhen 5 termometra për të matur temepraturën, një termometër më teknologjik do mjaftonte për t’ua matur të gjithëve. Këtë nuk e kemi dhe nuk e di çfarë rruge ndiqet për të ardhur në dorën tonë. Kushtet tjera i plotësojmë, sportistet ikin me makinë, shkojnë në shtëpia, nuk lahen këtu,”-deklaron mjeku i Vllaznisë Zyhdi Çoba.