Dy vite më parë, në pjesën jugore të Liqenit të Tiranës kishte vetëm baraka dhe plehra, ç'ka ishte kthyer në një problem për banorët e zonës dhe ndotjen e liqenit. Sot, komuniteti rom që jetonte aty është sistemuar nga Bashkia e Tiranës në banesa komode në Shkozë dhe Lanabregas, kurse hapësira i është rikthyer parkut me më shumë pemë, duke ia shtuar mushkërinë qytetit të Tiranës.
Për mbjelljen e 100 pemëve të reja në këtë zonë ndihmuan edhe kompania “Coca-Cola”, ekipi i futbollit “Partizani” dhe Pastiçeri “Reka”. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se me këtë ritëm, do të tejkalohet numri 122 mijë pemë i vënë si qëllim për t’u mbjellë deri në datën 22 Prill.
Jam shumë i lumtur që edhe në këto ditë të fundit, përpara se të kapim 22 Prillin, do ta tejkalojmë numrin e 122 mijë pemëve të mbjella. Deri para një viti kjo ka qenë një tokë e zënë. Më kujtohet gjullurdia që u krijua asokohe, por toka jo vetëm u lirua, jo vetëm që sot komuniteti rom jeton më mirë, punë për të cilën morëm edhe një çmim, por e gjithë Tirana jeton më mirë. Pra, treguam se si 1% nuk mund të pengojë zhvillimin e 99% të tjerëve, ama ka një mënyrë se si edhe 1% dhe 99% mund të jetojnë më mirë, falë nismave të bashkisë.
Kryebashkiaku, Erion Veliaj
Ai falenderoi ekipin e futbollit të Partizanit që u bë pjesë e revolucionit të gjelbër, duke kontribuar për një mjedis më të pastër.
Kush është sportist i mirë, mbi të gjitha është edhe qytetar i mirë, ndaj ju falenderoj, së pari për qytetarinë dhe siç bëni gola në fushë, keni bërë ‘gola’ sot në fushën e qytetarisë. I falenderoj shumë çunat e ekipit që na dhanë një spektakël në këtë fushë.
Kryebashkiaku, Erion Veliaj