Kodi Penal ndryshime jo vetëm COVID! Kush rreh gruan në sy të fëmijëve deri në 10 vite burg!

13 Prill 2020, 14:45

Ndryshimet në Kodin Penal, të cilat do të kalojnë në parlament më 16 prill pritet të përfshijnë veç dënimeve për karantinën e COVID-19, edhe dhunën në familje si dhe posedimin e aseteve të sekuestruar nga operacioni Forca e Ligjit, OFL.

Report Tv ka siguruar draftin e propozimeve të cilat i janë përcjellë grupeve të interesit për mendim ku rezulton se do të preket neni 130 pika a.

Ky nen propozohet të ketë dënime maksimale nga 5 deri në 10 vite për dhunë të ushtruar në familje apo në pranë të fëmijëve.

Rrahja si dhe çdo dhunë fizike, psiko emocionale ndaj personit bashkëshort, ish bashkëshort, bashkëjetues, ish bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi ose lidhje apo ish lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko emocional dhe ekonomik dënohet me burgim deri në pesë vite.

Një tjetër ndryshim prek edhe kanosjen serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, të personit që është bashkëshort, ish bashkëshort, bashkëjetues apo ish bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi ose lidhje apo ish lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko emocional dhe ekonomik dënohet me burgim nga dy  deri në pesë vite.