Kodi Zgjedhor, Panariti në Report TV: Shpresa e fundit është Meta! Kur ishim në koalicion me PS-në ajo na ndërhynte

16 Tetor 2020, 19:35 | Përditesimi: 16 Tetor 2020, 19:35

Ish ministri i Bujqësisë Edmond Panariti në një intervistë për Report Tv tha se opozita ka shpresën e fundit tek Presidenti lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që ai t'i kthejë duke i dhëne dhe një mundësi të fundit mazhorancës për të reflektuar. Panariti tha se kjo është shkëndija e fundit që duhet konsumuar në mënyrë që situata të mos precipitojë në situata të paparashikueshme.

"Mazhoranca synon ti shkojë deri në fund prishjes së marrëveshjes së 5 qershorit me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës që u bënë pa kompromis. Ka diçka që pritet që do jetë dhe shkëndija e fundit që presidenti Meta të kthejë këto ndryshime, edhe pse është edhe një kërkesë që vjen nga PPE. Duhet konsumuar edhe ky hap i fundit që Shqipëria të mos precipitojë në një  situatë shumë të paparashikueshme", tha Panariti.

LSI është një parti që ka provuar koalicion si me PD dhe me PS. Panariti tha se gjatë koalicionit me PS ka pasur shumë ndërhyjë nga ana e saj dhe ndryshim të rregullave të lojës kur loja kishte nisur, ndërsa në lidhje me PD Panariti tha e linte të qetë dhe nuk ndryshonte marrëveshjet që ishin vendosur që në fillim.

"Ne kemi pasur gjithmonë ndërhyrje gjatë koalicionit me PS. Kanë tentuar të ndryshojnë rregullat e lojës kur loja kishte filluar. Kur ne kishim rënë dakord për këtë mënyrë qeverisje dhe partneriteti,  PS nuk mund të ndërhyjë në mes të lojës dhe t'i ndryshojë. Këto lloj ndërhyrje na kanë çakërdisur edhe mua si ministër, kurse me PD marrëveshja ishte e qartë dhe respektohej", tha Panariti.

Panariti foli edhe për mbajtjen e maskës me detyrim duke e cilësuar si një masë që e ka rekomanduar edhe OBSH dhe po e marrin edhe vendet e tjera. Në lidhje me vendosjen e gjobës, Panariti tha se ajo i tremb qytetarët dhe i detyron ta mbajnë atë, por e sheh edhe si një taktikë elektorale të qeverisë për t'i falur ato para zgjedhjeve.

b.ha./Shqiptarja.com