Kokaina 613 kg në Durrës i përkiste 7 grupeve kriminale/ Ja kodet enigmë të komunikimit

20 Nëntor 2019, 16:59

TIRANË- Ngarkesa prej 613 kilogram të kapur në biznesin e bananeve të Arbër Çekaj, i përkiste jo një, por 7 grupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri. Kjo ngarkesë ka qënë një bashkim asetesh financiare për të blerë sasinë e kokainës tepër të pastër në Kolumbi, dhe që më pas kjo sasi e madhe droge do magazinohej në Shqipëri dhe prej këndej do shpërndahej në gjithë territorin europian.

Gjatë pretencës së dhënë para gjykatës për të pandehur Arbër Çekaj, Armando Pezakun dhe Donaldo Lushajn, prokurori Ervin Kondili pohoi se sasia prej 613 kilogramë drogë, ishte ndarë në disa pako të cilat kishin etiketim të veçantë nga njëra-tjetra. Kode numerike si ato të makinetës “Enigma” dhe më konkretisht, “BIKE”,“Toni Montana”, “020”, ”CR-77”, “Mollë 3”,“777” dhe “54”, kanë qënë gjuha që trafikantët kishin zgjedhur të komunikonin me njëri-tjetrin, ku dhe do të mereshin vesh për ndarjen e drogës, kur ajo të mbërinte në Shqipëri. Prokuroria thotë se çdo kod, dyshohet se përfaqësonte një grup kriminal në vend, të cilët kanë bashkuar asetet kriminale me qëllim ngritjen dhe hedhjen në transport detar të kësaj sasie kaq të madhe droge. Sigurisht që prokuroria ka krijuar disa analogji se kujt i përket vërtet kjo sasi e madhe droge, e mbëritur në Shqipëri. Por që në asnjë moment nuk ka shoqëruar apo arrestuar investitorët e këtij trafiku. Kjo për shkak edhe të mungesës së provave.

Edhe pse Arbër Çekaj ka dashur të bashkëpunojë me prokurorinë dhe të japë atë informacion çfarë ai di, Çekaj më pas është tërhequr duke refuzuar të flasë. Çekaj është hera e dytë që ka probleme me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi në vitin 2015 në kontinjerët e bananeve të kompanisë së tij, janë kapur 90 kg kokainë në një port të Ekuadorit. Çekaj ishte personi i vetëm i dyshuar por hetimi për këtë rast trarfiku u pezullua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Kodet enigmë

1. “BIKE”

2. “Toni Montana”

3.  “020”

4. ”CR-77”

5. “Mollë 3”

6.  “777”

7.  “54”,