Kolaudimi i mjeteve në shtet, Gonxhe shuan çdo dyshim: Nuk do ketë asnjë lloj koncesioni!

2 Dhjetor 2020, 12:30

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe tha në Report Tv se nuk do të jepet më me koncesion kontrolli teknik i mjeteve. Lajmet se bëhet fjalë për një koncesion 200 mln dollarësh, Gonxhe i quan krejtësisht të pavërteta, spekulime duke theksuar se nuk do të ketë asnjë lloj privatizimi. Një vendim i tillë, për drejtorin, nuk ka të bëjë aspak me faktin që jemi në një vit elektoral, por ka listuar një sërë arsyesh të tjera që argumentojnë se përse iu besua DPSHTRR-së.

"Kem i një institucion me ekonomi të mirë, nuk kemi nevojë që këtë ndihmë ta bëjmë me koncesion, kemi kapanonet, kemi linjat e kontrollit dhe të gjitha imputet nga më të ndryshmet që i kemi përditësuar 2019-2020. Dhe duke pasur këto asete të jetë e pamundur që të mos bëhet nga ky ent publik është me vetëfinancim. Pra quhet në një farë mënyrë i liberalizuar, ne jemi të licensuar, kemi specializimet dhe aftësitë e duhura. Prandaj ne u ofruam që të garantojmë shërbimin, duke e bërë kontrollin për më shumë në kohë", tha Gonxhe.

Ai tha se shërbimi do kryhet nga shteti në janar dhe do forcohen kontrollet, por edhe masat ndëshkuese ndaj personave që mbajnë automjete jashtë kushteve teknike. Në këtë "kontratë" të re,  Gonxhe tha se është shumë i rëndësishë edhe përgjegjshmëria e vetë qytetarëve.

"Do rrisim kontrollet rrugore, kontrolle më të imta teknike me policinë dhe Task Forcën e Policisë Rrugore. Kemi investuar shumë në sistemin e monitorimit, problemet nuk rregullohen me njerëz, por me sisteme dhe investimet që kemi bërë janë të pakrahasueshme, jo vetëm me këtë koncesion, por me shumë ente private që kemi në treg. Nëse ne do i themi një mjeti që do marrë një kontratë dy vjecare, do të ketë më shumë kontroll për gomat, për probleme funksionalitet të mjetit. Ne mund të na prishet makina dy javë pas kolaudimi, po nuk do të thotë që do rrimë një vit me makinë të dëmtuar, duke lëvizur me makinë me familjen. Në rast se do kapesh në rrugë me një automjet jashtë standardi, do të ketë masa shumë të rënda. Ne do shkojmë në rritjen e kontrolleve për ndotjen e ambientit, në kontrolle më të imta të aspekteve më me rrezik, gomat, frenimi apo mjetet të transportit", tha drejtori.