Kolegji rrëzon kërkesën e BD në dy bashki, PS: Bindja nuk e di me kë e ka

22 Korrik 2019, 13:39 | Përditesimi i fundit: 2019-07-22 18:18:57

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Bindjes Demokratike që kundërshton rezultatin në bashkitë Selenicës dhe Shijakut, e ndërsa pritet vendimi pët tre Bashkitë e tjera Kurbin, Tiranë dhe Berat. Në një dalje për mediat, përfaqësuesi i PS në Kolegj, Eridian Salianji u shpreh se pretendimet e Bindjes janë ngritur mbi baza partiake dhe jo ligjore.

"BD nuk paraqiti asnjë provë, lidhur me procesin zgjedhor. Pretendimet e Bindjes janë thjeshtë të ngritura mbi bindje politike, fals për të justifikuar rezultatin apo lojën politik, por nuk ka asnjë pretendim ligjor. Bindja nuk e si e ka me veten, me procesin apo me votimet", u shpreh përfaqësuesi i PS në Kolegj, Eridian Salianji.

Në argumentin e saj 'Bindja' pretendon se kutitë janë mbushur me vota fiktive dhe se iu vodhën.

"Ka pasur më shumë vota se votues. Anëtarët i kanë dhënë votuesve më shumë se një fletë votimi dhe në momentin e mbylljes që qendrave të votimit, vëzhguesit tanë janë nxjerrë përjashta. Gjetjet i kemi nga njerëzit tanë vëzhgues. I kemi kërkuar KQZ-së që të hap kutitë, por nuk është marrë parasysh. KQZ s'na ka lënë mundësi për të pasur prova shkresore", u shpreh Fabjan Topollaj.

Po sot do të shqyrtohet edhe kërkesa e Leonidha Hristos, që humbi në Finiq garën për të fituar bashkinë. Më pas Kolegji Zgjedhor do të marrë në shqyrtim 20 kërkesat e PS-së për shpërndarjen e mandateve për këshilltarët bashkiakë, pasi KQZ e kishte të pamundur ligjërisht për t'i certifikuar duke qenë se duheshin 5 vota.