Kolegji Zgjedhor rrëzon PD, fleta e votimit në 25 prill do të jetë me numra! Kaso: Truk nga Rama për të fshehur kandidatët, por s’i shpëton dot humbjes

4 Prill 2021, 20:23

#reportTV #lajmeshqip #lajme Në 25 Prill shqiptarët do të shprehin vullnetin e tyre në një fletë votimi me numra dhe jo me emra. Kështu ka vendosur në mbledhen e sotme Kolegji Zgjedhor që është shkalla e fundit. Pasi dëgjoi të gjitha palët, Kolegji vendosi që kandidatët në fletën e votimit të identifikohen me numra sikur e kërkonte Partia Socialiste, duke rrëzuar pretendimin e PD-së, e cila kërkonte që fleta të ishte me emrat përkatës. Gazetarja e Report Tv Danjela Maloku raportoi se trupa gjykuese e Kolegjit Zgjedhor që shqyrtoi këtë çështje u përbë nga Gentjan Medja, Alma Kolgjoka, Manjola Xhaxho, Esmeralda Xhili dhe Asim Vokshi. Relatore e çështjes është gjyqtarja Manjola Xhaxho. Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Eridjan Salianji u shpreh se fleta e votimit që kërkon PD me emra është si gazetë për zgjedhësin duke ia vështirësuar votimin. Përfaqësuesi ligjor i PD-së Ivi Kaso u shpreh i zhgënjyer me vendimin e trupës që fleta të jetë me numra dhe jo me emrat e kandidatëve për deputetë, duke e quajtur këtë një truk të Ramës. Ishte Partia Demokratike e cila ankimoi vendimin në Kolegjin Zgjedhor, pasi KAS rrëzoi kërkesën e PD-së që fleta e votimit të jetë me emra. Po ashtu PD ka paditur edhe vendimin për logon e BD, pasi është ankuar për ngjashmëri me të sajën dhe pretendoi se mund të krijojë konfuzion në fletën e votimit. Padisë së PD iu bashkua ditën e sotme edhe LSI. Komisioni i Ankimimit dhe Sanksioneve në KQZ pranoi kërkesën e Partisë Socialiste duke rrëzuar propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për fletën e votimit. Sipas vendimit të KAS bie fleta e votimit me emra kandidatësh dhe vendoset për fletën me numra. Socialistët kërkuan miratimin e një flete votimi vetëm me numra. Për ankimimin e PS votuan pro anëtarët Koli Bele, Ilir Rusmajli, Elvin Lako, ndërsa Ledio Braho dhe Elvis Cefa kanë votuar kundër. Fleta e votimit me emra u propozua nga Ilirjan Celibashi, por më pas u ankimua nga 2 forcat kryesore politike. Në fletën e miratuar ishte parashikuar të shënuar emrat e kandidatëve për deputetë dhe jo me numra.