Kombëtarja fiton pastër në San Marino, Manaj dhe Uzuni e ngjisin në vendin e tretë në renditje

31 Mars 2021, 23:23

Kombëtarja shqiptare ka fituar 0-2 ndeshjen e tretë në grupin kualifikues të Botërorit kundër San Marinos. Përpos rezultatit dhe kundërshtarit, 90 minutat rezultuan mjaft të vështira për kuqezinjtë të cilët në pjesën e parë goditën vetëm në një rast portën kundërshtare.

Në pjesën e dytë trajneri Reja bëri dy zëvendësime të menjëhershme duke larguar Brojën dhe Laçin, ndërsa u aktivizua Uzuni dhe Roshi. Ndryshimet dhanë menjëherë efekt pasi kuqezinjtë rritën presionin dhe për pasojë në minutën e 63 zhbllokuan rezultatin.

Pas një krosi të Myrto Uzunit, Rei Manaj nuk fali Brenda zonës, duke realizuar në një moment kur ndeshja po bëhej malore. Nga ky çast kuqezinjtë morën frymë lirisht dhe krijuan disa raste të arta për shënim ku mbi të tjera mund të përmendet shtylla e Elseid Hysajt.

Gjithsesi atë që s’e bëri kapiteni e bëri Myrto Uzuni, i cili në minutën e 85 devijoi një gjuatje të Veselit, për ta dërguar në portë.

Me këtë fitore kuqezinjtë ngjiten në vendin e tretë në grupin I me 6 pikë, duke parakaluar Poloninë e cila u mposht 2-1 nga Anglia në Ëembley, ndërsa Hungaria renditet e dyta me 7 pikë, pas fitores 1-4 kundër Andorës. Ndeshjet e radhës së kombëtares për kualifikueset e Botërorit do jenë në shtator, kundër Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos.