Kombëtarja do të luajë sot ndeshjen e parë për vitin 2018-të. Skuadra e Christian Panuccit do të presë në “Elbasan Arena” Norvegjinë në një takim miqësor që do të nis në orën 19:00. Shqipëria do të luajë në sulm ashtu siç ka paralajmëruar trajneri Italian dhe në fushë do zbresë me skemën 4-3-3. Tekniku dje në konferencë zbuloi vetëm dy lojtarë titullarë me Strakoshën që do të jetë në portë dhe Ylber Ramadanin në qendër të mesit të fushës ndërsa pjesa tjetër e titullarëve është kuptuar në seancën e fundit stërvitore.
Kështu në mbrojtje Hysaj dhe Mavraj mbeten shtyllat kryesore ndërsa Arlind Ajeti duket se ka fituar balotazhin me Gjimshitin ndërsa krahu i majtë mbetet në pikëpyetje mes Lenjanit dhe Alijit. Në mesfushë çdo gjë duket e përcaktuar me Ramadanin ,Taulant Xhakën dhe Qakën ashtu si edhe krahët e sulmit me Roshin dhe Grezdën ndërsa në sulm pritet të jëtë Sadiku. Trajneri ka deklaruar se ka një skuadër më të fortë se ajo e De Biasit ndërsa Roshi është i emocionuar pasi do mbajë shiritin e kapitenit.
