Mashtrimi i madh/ ‘Kurum’ u merr 210 milionë euro 5 bankave në Shqipëri me bilance të rreme pasi kishte nisur falimentimin, njerëzit që fshihen pas

18 Korrik 2020, 17:49 | Përditesimi i fundit: 2020-07-18 17:58:25

Një skandal i përmasave të mëdha financiare përfshin kompaninë më të madhe të prodhimit të hekurit në Shqipëri, “Kurum International SHA’, pjesë e ‘Kurum Demir’, kompanisë më të madhe të hekurit në Turqi. ‘Kurum’ në Shqipëri ka mashtruar me bilance të rreme 5 banka të nivelit të dytë në vendin tonë, duke u marrë 210.3 milionë euro kredi, në një kohë kur kishte nisur procedurat e falimentimit. Skandali raportohet nga media turke ‘SABAH’. Mashtrimi në Shqipëri është pjesë e një mashtrimi të madh ndërkombëtar, me bazë në Turqi. Sipas ‘SABAH’, ‘Kurum Demir’ dhe degët e saj u kanë marrë kredi me bilance të falsifikuara 33 bankave në Shqipëri, Turqi dhe Angli.

Media turke shkruan se ky është skandali më i madh financiar në Turqi gjatë dekadës së fundi. Përfaqësuesit e kompanisë tashmë po përballen me drejtësisë turke, pasi akuzohen nga autoritetet turke për vepra të rënda penale si mashtrimi dhe pastrimi i parave. Drejtuesit e Kurum janë kallëzuar nga 14 banka turke, të cilat kanë rënë pre e skemës së mashtrimit. Ndërkaq, në Shqipëri skandali vijon të mbahet në heshtje.