Komisioni i Ekonomisë rrëzohen dekretin e presidentit për buxhetin

18 Dhjetor 2018, 14:08

TIRANE-Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka rrëzuar dekretin e Presidentit Meta për buxhetin. E ndërsa opozita vijon bojkotin, me votat e shumicës komisioni rrëzoi dekretin, që pritet të vuloset ditën e enjte në seancën plenare të Kuvendit. Kreu i shtetit e riktheu buxhetin me argumentin se shumica duhet të plotësojë kërkesat e studentëve, që janë ngritur në protestë prej 15 ditësh. Por ministri Arben Ahmetaj deklaroi në komision se Presidenti duhet të kërkonte dialog mes studentëve dhe qeverisë dhe jo të kthente buxhetin. Sipas tij, pikat për të cilat qeveria ka dhënë OK, si për tarifat dhe për investimet në konvikte nuk kanë nevojë për rishikim të buxhetit, pasi “Ka para për të adresuar këto dy pika” tha ai.

“Presidenti është mundur që të ketë një kontribut duke kthyer buxhetin. Besoj që një kontribut më i madh sesa të kthehesh buxhetin, që është i furnizuar me të gjitha shumat për arsimin e lartë, do të ishte që të kërkonte edhe ai dialog mes studentëve dhe qeverisë. Ne mbështesim kërkesat e studentëve i konsiderojmë legjitime në kushtet që duhen përmirësuar, uljes së tarifave, por sigurisht që qeveria është duke pritur me padurim studentët që të ulen për të dialoguar.

Dekreti është kthyer pa referuar asnjë detaj, në aspektin e financimit të arsimit apo kërkesë specifike. Praktikisht e ka kthyer buxhetin në parim. Cdo refuzim ndaj dialogut është ti bësh një tradhti kauzës së studentëve. Duhet të analizojmë se cfarë ka ndodhur me administrimin e fondeve në këto 3-4 vite që autonomia është garantuar me ligj. Më pas do të kemi mundësi që ne dhe studentët të vendosim instrumente që garantojnë transparencë dhe kontroll. Autoriteti që të financon ka të drejtë që të kontrollojë, pa cenuar autonominë” tha ai.