Drafti për 'zgjedhoren'/ Shoqëria civile kërkon ndryshim sistemi

5 Nëntor 2019, 14:04 | Përditesimi i fundit: 2019-11-05 19:11:07

TIRANË- Komisioni i Reformës Zgjedhore mblodhi sot në tryezë shoqërinë civile dhe disa parti të vogla për diskutimin dhe shqyrtimin e amendimeve të propozuara në draftin e përgatitur deri më tani nga ky Komision.

Disa prej përfaqësuesve dhanë rekomandimet e tyre, por jo për draftin e propozuar deri më tani që përfshin rekomandimet e OSBE ODHIR, por për ndryshimin tërësor të sistemit zgjedhor.

Kërkohet një zgjidhje që puna e ekspertëve të të dy palëve të mund të përafrohet. Nëse do të ketë ndryshim të sistemit zgjedhor, atëherë kërkohet që amendimet aktuale që propozon komisioni duhet të rishikohen", tha Kume.

Bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore Rudina Hajdari paralajmëroi edhe njëherë se komisioni do shqyrtojë në mënyrë të plotë rekomandimet e OSBE-ODHIR.

"Harrojeni që ky komision të konsiderojë në mënyrë të pjesshme rekomandimet e OSBE-ODHIR. Tre janë pikat ku ne duhet të bazohemi fort. Të vendosin qytetarët, hapja e partive politike, nxitja e alternativave të reja", tha mes të tjerave Hajdari. 

Ndërkohë, bashkëkryetari Damian Gjiknuri ripërsëriti edhe njëherë ftesën për opozitën jashtë parlamentare, duke thënë se në mbledhjen e radhës që do të jetë ditën e enjte, do të shqyrtohet reformimi i administratës zgjedhore.

Kjo mbledhje u shoqërua dhe me debate të forta. Fillimisht mes deputetit Kujtim Gjuzi dhe Gjiknurit, e më pas mes Myslim Murrizit dhe disa prej përfaqësuesve të shoqërisë civile.