Komisioni i Veprimtarisë miraton censin! Përgjigjet për fenë dhe etninë me dëshirë

3 Nëntor 2020, 16:24

Pas dy vitesh Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar këtë të martë projektligjin për Censin e Popullsisë dhe të Banesave që ishte parashikuar për tu zhvilluar këtë vit por që si pasojë e pandemisë është shtyrë për në vitin e ardhshëm.

Edhe pse janë dy pyetje për të cilat përgjigjja jepet me dëshirë, përsëri feja dhe etnia kanë marrë vëmendjen më të madhe në diskutime, për shkak të debateve që shkaktoi përbërja e minoritetit grek në vitin 2011. Drejtoresha e re e INSTAT Elsa Dhuli shpjegoi në komision se këto dy tregues do të kenë alternativën “Preferoj të mos përgjigjem”.

“Pyetësori i censit përmban një set me pyetje që janë disa të detyrueshme për tu përgjigjur, por ka edhe këto dy pyetje që janë opsionale. Përkatësia etnike dhe fetare konsiderohen jo të detyrueshme janë sensitive dhe nuk përfshihen. Censi i përmban të 5 besimet fetare të njohura në Shqipëri, përmban edhe një opsion tjetër nëse individi nuk i përket asnjërit prej këtyre besimeve”, tha drejtoresha e INSTAT.

Ndërsa përgjigjja për gjuhën nuk do të jetë opsionale, por duhet patjetër të ketë një përgjigje.

 “Gjuha nuk do të jetë opsionale, pra nuk do të ketë opsionin nuk preferojë që të mos përgjigjem. Nuk konsiderohen si pyetje sensitive”, u shpreh Dhuli.

Ndërkohë nuk është marrë parasysh propozimi i deputetit të PS Ilir Beqaj, që në këtë cens të përfshihet edhe pyetja për orientimin seksual të qytetarëve. Sipas drejtoreshës së Statistikave sociale ky tregues përfshihet në anketime.

“A ka ardhur momenti që në 2020, përveç se ti pyesim njerëzit për orientimin seksual”, ishte kjo pyetja e deputetit Beqaj e ngritur me 21 tetor po në komisionin e veprimtarisë.