Komiteti Teknik i Ekspertëve për COVID-19 tha gjatë konferencës së sotme se incidenca javore e infektimeve me COVID në vend ka kaluar tavanin e vendosur, prej 200 rastesh duke shkuar në 209 dhe se tre ditën e fundit të janarit numri i të infektuarve por edhe viktimave ishte i lartë dhe kjo vjen si pasojë e mosrespektimit të rregullave si gjatë festave të fundviti dhe në vijimësi, ku qytetarët vijojnë të mos mbajnë maskën në rrugë.
Komiteti vendosi vijimësinë e pezullimit të fluturimeve me Britaninë e Madhe deri në një urdhër të dytë, ndërsa për rikthimin apo jo në auditorë të studentëve për të dhënë vetëm provimet, shefja e komiteti të ekspertëve, Mira Rakacolli tha se po diskutohet dhe se në fund të kësaj jave merret vendimi.
Shtrimet në spitale gjithashtu janë rritur dhe se mosha varion nga 30- 90 vjeç, ndërsa mosha më e preku nga COVID-19 është 50-60 vjeçare dhe kjo është edhe mosha që shfaq simptomat më të rënda të virusit.
"Rritje të numrit të rasteve, incidenca javore ka shkuar në 209 raste për 100 mijë banorë. Është një rritje e rëndësishme pasi 2 javë më parë ishte nën 200. Këtë tavan prej 200 e kërkojnë edhe vendet e tjera. Nga ana tjetër edhe incidenca 2-javore është rritur. Kemi edhe rritje të të shtruarve në spital por edhe numri i të vdekurve. Vihet re një rritje graduale në të gjitha bashkitë e vendit. Vërehet një rritje e rasteve në të gjitha grupmoshat", tha Shefja e Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino.
Në lidhje me skandalin ku Ermal Mamaqi mbushi sallën me njerëz në thyerje të hapur të rregullave antiCOVID, Rakacolli tha se policia ka gjobitur.
