Komiteti për Emergjencat në Lezhë: Janë kryer 420 verifikime për dëmet në banesa

12 Dhjetor 2019, 21:09

Komiteti Ndërministror për Emergjencat në qarkun Lezhë njofton se vazhdon puna me skuadrat e terrenit për të verifikuar dëmet dhe godinat e dëmtuara. Deri mbrëmjen e sotme janë zhvilluar 420 verifikime në terren dhe janë njoftuar të gjithë banorët në rastet kur godinat duhet të evakuoheshin. Deri tani 351 familje kanë aplikuar për këtë bonus qirash. 

Në Laç vijon puna për njoftimin e çdo banori në 7 pallatet që janë shpallur si të pabanueshëm, dhe më pas do të vijohet për shembjen e tyre nga grupet e IKMT-së. "Aktualisht janë duke u njoftuar individualisht banorët e pallateve numër 125, 126,127,129, 130, 131 dhe 133 të gjitha në lagjen numër 4 në Laç dhe pasi të jetë mbyllur e gjithë koha për këto njoftime, do të kemi edhe shembjen e tyre të kontrolluar nga grupet e IKMT-së dhe nga Ministria e Mbrojtjes.

Aktualisht sot janë shpërndarë dhe ngritur nga Forcat e Armatosura Shqiptare 57 çadra dimërore në terren duke zëvendësuar një pjesë të çadrave, me të cilat ishin pajisur në momentet e para të emergjencës banorët dhe të cilat duheshin ndryshuar.

Në bashkinë Kurbin, nga vlerësimet kemi 1000 objekte të inspektuara nga të cilat 239 janë të pabanueshme, 7 nga ato që u përmendën më sipër, janë për t’u prishur. Në bashkinë e Lezhës kemi 1200 objekte të inspektuara deri tani, nga të cilat 70 janë të pabanueshme. Bashkia Mirditë ka gjithashtu 80 objekte të inspektuara nga të cilat 51 janë të pabanueshme.

Aktualisht po vijon mësimi normalisht me 2 turne në ato shkolla, të cilat ku kemi spostuar një pjesë të nxënësve që kanë qenë pjesë e shkollave të dala jashtë funksionit për arsye të heqjes së riskut nga qytetarët. Gjithashtu kemi marrë deri sot 215 telefonata nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë marrë përgjigjen, qoftë nga njësitë e pushtetit vendor, qoftë nga Qendra Operacionale për Emergjencën Civile në Lezhë" mbyllet njoftimi.