Kompanitë e sigurimeve rrisin pagesat për aksidentet, 1 mld lekë vetëm në 2018

27 Maj 2019, 20:27

Kompanitë e sigurimeve kanë rritur ndjeshëm pagesat për aksidentet. Gjatë vitit 2018 kompanitë kanë paguar mbi 1 miliardë lekë në një vit. Drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi, deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se në muajt e parë të 2019, janë paguar rreth 200 milion lekë.

“Çdo tre muaj bëjmë inspektime në çdo shoqëri për të parë ecurinë e pagesave dhe ndonjë zvarritje që mund të bëhet nga shoqëritë e sigurimit. Edhe për tremujorin e parë shifra e paguar ishte rreth 200 milion lekë të reja nga gjithë tregu i sigurimeve. Edhe kompanitë e kanë kuptuar që kjo është një përgjegjësi e tyre, pagesa e dëmeve rrit edhe besimin në treg”, u shpreh Koçi.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj u shpreh se do të rritet vëmendja për mbrojtjen e konsumatorëve.  Së  shpejti AMF do të kalojë online të gjithë procesin e  shlyerjes së dëmeve ndaj klientëve, ku gjithkush mund të kontrollojë se në ç'fazë është çështja e tij.