Pas konferencës së Donatorëve i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca folën për Report Tv duke shprehur lumturinë e tyre se u arritën të mblidheshin më shumë fonde nga sa ishin pritshmëritë dhe se e gjithë bota u bë një e vetme për të ndihmuar Shqipërinë. Palmer tha se SHBA do të vijojë të qëndrojë krah Shqipërisë si aleate dhe krahë shqiptarëve për rindërtimin e shtëpive.
'Mendoj se bota u bë bashkë dhe mbështeti Shqipërinë në këtë periudhë të vështirë dhe SHBA është krenare dhe do të qëndrojë në krah të Shqipërisë si partner dhe aleat duke sjellë kontributin tonë. Do të vijojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë dhe popullit shqiptar që rindërtimi të jetë i mire dhe më i fortë' tha Palmer për Report TV.
Ndërsa ambasadori Luigi Soreca tha se është i lumtur që fondet tejkaluan pritshmërinë dhe nevojat e Shqipërisë për procesin e rindërtimit. Soreca kërkoi që fondet e mbledhura të përdoren me transparencën të plotë dhe shtoi se kjo është një ditë e lumtur për shqiptarët dhe të kuptojnë se BE është pranë tyre.
'Është një sukses i madh ku të gjithë bashkë shprehëm solidaritetin ndaj Shqipërisë. Fondet e mbledhura tejkaluan pritshmërinë, u mblodhën më shumë se sa nevojat e Shqipërisë. Personalisht jam shumë i lumtur për popullin shqiptar dhe kur të kthehem në Tiranë do të shpjegojë se çfarë ndodhi këtu. Tani duhet një punë e mirë, pasi këto para duhet të përdoren në mënyrë transparente. Por sot le të jemi të gjithë të lumtur dhe të tregojmë se ishin pranë shqiptarëve dhe të kuptojnë se ne punuam për ata dhe sot është një natë e madhe për Shqipërinë', tha Soreca për Report TV.
Në Konferencë e Donatorëve u mblodhën 1.15 miliardë euro ku përfshihen grante, projekte e hua, ndërsa për procesin e rindërtimit janë llogaritur se nevojiten rreth 1.08 miliardë euro.