GJERMANI- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani ku po takohet me homologët ndërkombëtarë lidhur me konferencën e donatorëve që do të mbahet në datë 16 shkurt në Bruksel për rindërtimin e banesave të shembura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Gjatë vizitës së tij në Mynih, kreu i qeverisë Edi Rama u takua me kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Ai tha se Kanadaj është e angazhuar për të marrë pjesë në Konferencën e donatorëve që do të mbahet këtë të hënë, ndërsa vlerësoi edhe marrëdhëniet dypalëshe.
"Kënaqësi e vërtetë të ulem sërish me mikun tim, Edi Rama nga Shqipëria. Më jep mundësinë së pari, të shpreh edhe njëherë ngushëllimet e mia për tërmetin e tmerrshëm për të cilin folëm kur u takuam në NATO. Kanadaja është angazhuar për të marrë pjesë edhe në Konferencën e Rindërtimit, në shkurt. Kemi punuar shumë mirë bashkë në misionet e NATO-s. Shqiptarët po kryejnë shërbimin përkrah Kanadasë në Letoni për mision “Enhanced Forward Presence” dhe është kënaqësi të vazhdojmë të shkëmbejmë dhe të kemi një bashkëpunim kaq të mirë me ju, ndërsa ecim përpara", tha Justin Trudeau.