TIRANE- E ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones deklaroi në konferencën 'Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor' se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian, pavarësisht faktit se nuk u hapën negociatat në samitin e liderëve të unionit në datë 18 Tetor. Shqipëria do të fitojë një vend në radhët e BE-së duke dyfishuar përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit, tha Leyla Moses-Ones, ndërsa theksoi se Rusia, Kina dhe Irani duan kaos dhe destabilitet dhe më pas të flakin.
Leyla Moses-Ones u shpreh se Shqipëria i ka refuzuar këto makinacione të këtyre vendeve. Edhe ambasadori i BE-së theksoi se është i vetëdijshëm se Shqipëria dhe Maqedonia u zhgënjyen nga vendimi, por BE dhe SHBA do të vijojnë që të jenë po aq prezente në këto shtete për t'i ndihmuar me reformat. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se BE-ja nuk e ka mbajtur fjalën disa herë për shqiptarët, Shqipërinë për negociatat dhe Kosovën për liberalizimin e vizave, por shtoi se rruga e vetme është Perëndimi.