Konfirmohen në detyrë prokurori Genti Xholi dhe gjyqtari Klodian Kurushi, vettingu 'djeg' ish-kreun e Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj

10 Dhjetor 2019, 10:13

TIRANË- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokurorin e Aplit të Tiranës, Genti Xholi dhe  gjyqtarin pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Klodian Kurushi. Ndërkohë Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj, njëherazi anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është shkarkuar nga detyra, raporton gazetari i Report Tv Arsen Rusta. 

Gjyqtari i Krimeve të Rënda, Klodian Kurushi është përballur këtë të martë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ku për të është vlerësuar që të konfirmohet në detyrë, pasi nuk janë gjetur probleme apo shkelje. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale dhe në të tre këto shtylla, Kurushi ka dalë i pastër.  Trupa gjykuese për Kurushin që kreu procesin e vetingut përbëhej nga Suela Zhegu, Alma Faskaj dhe Lulzim Hamitaj. Klodian Kurushi ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001 dhe e ka nisur karrierën në drejtësi nga Gjykata e Sarandës. Në nëntor 2005, Kurushi është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 14 vitesh. Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie, si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë si dhe ekspert dhe trajnues në Shkollën e Magjistraturës.Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë edhe prokurorin e Apelit të Tiranës, Genti Xholi. Dy zyrtarët e lartë të drejtësisë kanë kaluar me sukses tre kriteret e vlerësimit, atë të pasurisë, kontrollin e figurës dhe aftësive profesionale. Genti Xholi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si prokuror në Prokurorinë e Tiranës, institucion të cilin e ka drejtuar për një periudhë kohe. Në vitin 2010, ai është emëruar prokuror në Prokurorinë e Tiranës, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 9 vitesh.

Ndërkohë Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj, njëherazi anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtës është përballur këtë të martë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të cilët kanë vendosur shkarkimin e tij nga detyra. Procesi i vetingut për Islamajn u krye nga trupa gjykuese e përbërë nga Pamela Qirko, Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari. Sipas KPK, subjekti Islamaj rezulton me shtesë pasurie familjare të pambuluar me burime në vitin 2007 në vlerën e rreth 474 mijë lekëve. Problemet me pasurinë kanë bërë që Islamaj të shkarkohej nga detyra. Fatri Islamaj ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2003-2006 dhe e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor nga Gjykata e Fierit. Në vitin 2010, ai është transferuar në Gjykatën e Tiranës dhe tre vjet më vonë u emërua kryetar i kësaj Gjykate. Pas tre vitesh drejtimi të Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj u dekretua nga presidenti Nishani si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës në vitin 2016. Gjatë këtij viti, Islamaj ka ushtruar gjithashtu funksionin si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i zgjedhur përmes shortit.