Konflikti Greqi-Turqi, takohen ministrat e BE! Merkel bisedë telefonike më Erdogan: Rruga e vetme dialogu

13 Gusht 2020, 20:56

Situata në Egje nuk gjen qetësi, megjithëse ditën e nesërme do të mbahet takimi i jashtëzakonshëm i ministrave të jashtëm të BE-së për të diskutuar ketë situatë, përplasjet e vogla në det të hapur kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.   Sot është njoftuar se në zonën ku anija turke po zhvillon kërkimet është  vendosur një “task forcë” me anije dhe avionë francezë, të cilat po kryejnë një stërvitje ushtarake në bashkëpunimin me marinën greke .

Në anën tjetër raportohet se gjatë mesditës të së enjtes është zhvilluar një bisedë telefonike mes presidentit turk Rexhep Tayip Erdogan dhe kancelares gjermane Angela Merkel. Të dy liderët diskutuan pikëpamjet e tyre për zgjidhjen e konfliktit në Mesdhe.  Merkel bëri thirrje dy palëve për zhvillimin e dialogut, ndërkohë që presidenti turk nuk nguroi të shprehë skepticizmin në lidhje me palën greke.

Presidenti turk më vonë gjatë mbledhjes me krerët vendor, u shpreh I hapur për dialog me palën greke, edhe pse ai deklaroi se Anija turke nuk ka cenuar asnjë ligj ndërkombëtar. Në përfundim të fjalës së tij  Erdogan i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të shikojë nëse Greqia respekton një nga kushtet më kryesore,  respektimin e minoriteteve në vend, pastaj te gjykojë anijet kërkimore turke.

Prej disa ditësh, një flotë turke e përbërë prej anijeve ushtarake si edhe tre anije kërkimore janë  po kryejnë  kërkime për gaz në zonën detare mes Qipros dhe ishullit të Rodosit, për të cilën Greqia pretendon se i përket Zonës Ekskluzive Ekonomike të saj.