Disa nga bizneset shqiptare i janë përgjigjur menjëherë thirrjes së kryeministrit Edi Rama dhe Bashkisë së Tiranës për të dhënë një dorë në rikonstruksionin e konvikteve në “Qytetin Studenti”. Një prej tyre ishte edhe kompania e familjes Sadushi, e cila iu bashkua nismës “Adopto një konvikt”, përmes së cilës, bashkia synon deri në verë të ndërhyjë fillimisht në mjediset e përbashkëta të godinave dhe më pas edhe nëpër dhoma.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi në shenjë vlerësimi Arben Sadushit “Medaljen e Mirënjohjes”.
Zakonisht në bashki nderojmë presidentë, kryeministra që vijnë nga jashtë, apo kryetarë bashkie që na vizitojnë nga vende të tjera, por ndonjëherë harrojmë që heronjtë e vërtetë i kemi këtu mes nesh. Siç respektojmë dhe nderojmë të huajt, çka është shumë e rëndësishme, s’duhet të harrojmë të vlerësojmë qytetarët tanë, duke nisur nga fëmijët e familjes Sadushi, të cilët patën idenë të ishin kontribuues në kauzën për të rregulluar konviktet e “Qytetit Studenti” dhe iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së kryeministrit, e mandej nxitën prindërit e tyre. Për këtë arsye, dua t’i jap këtë medalje mirënjohjeje familjes Sadushi, për gjithë kontributin dhe ndihmën që na dhanë në “Qytetin Studenti”, si familja e parë që iu përgjigj kësaj thirrje, edhe me shumë shpresë për një brez të ri që është i ndjeshëm.
Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës
Kryebashkiaku i Tiranës ftoi që kjo nismë të ndiqet edhe nga biznese të tjera. “Unë e kuptoj që është më kollaj të thuash jam “me studentët, me studentët”, por është më e vështirë të bësh diçka për ta. Si familja e parë që nisi këtë risi, jo vetëm për të qenë me studentët, por për të bërë diçka konkrete për studentët, keni gjithë mirënjohjen tonë dhe të qytetit të Tiranës”, tha ai.
Familja Sadushi vlerësoi Bashkinë e Tiranës për këtë nismë dhe nxiti bizneset e tjera që t’i bashkohen kësaj nisme, si një mundësi për të kontribuar për brezat e ardhshëm.