Kontrollorët e trafikut ajror pezullojnë punën pas uljes së pagave, anulohen të gjitha fluturimet nga Rinasi! Balluku: Grusht shteti, të përfshirë Meta e Berisha!

7 Prill 2021, 19:40 | Përditesimi: 7 Prill 2021, 19:44

TIRANË- 60 kontrollorët e trafikut ajror të AlbControl thuajse njëkohësisht kanë shpallur paaftësinë e tyre në punë duke firmosur një dokument se kanë stres për shkak të kushteve të vështira financiare të tyre, qw ka ardhur si pasojë e uljes së pagës së tyre nga 4400 dollarë në 2400 dollarë si pasojë e pandemisë. Ky vendim ka sjell dhe bllokimin e punës dhe pezullimin e të gjitha fluturimeve në aeroportin e  Rinasit.

Edhe pse vetë kontrollorët e trafikut ajror nuk e kanë cilësuar grevë por paaftësi në punë, fakti ata e kanë deklaruar thuajse të gjithë njëkohësisht është cilësuar nga Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku si grusht shteti, ku janë të përfshirë ish- kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Ajo tha se si pasojë e këtij vendimi, sot nuk mund të vijnë dot vaksinat anti-COVID, të sëmurët apo trupat e pajetë të shqiptarëve që kanë humbur jetën jashtë vendit, duke e quajtur absurditet e duke paralajmëruar ndëshkime. Udhëtimet mbi hapësirën ajrore shqiptare vijojnë sepse janë 5 kontrollorë që ofrojnë shërbim dhe nuk kanë deklaruar paaftësinë. Megjithatë ky shërbim cilësohet si jo i sigurt.

Sipas informacioneve të gazetares së Report Tv Eliza Gjediku biletat do të përdorën në ditët në vijim kur të nisin fluturimet. Ndërkohë që sipas punonjësve të aeroportit bëhet fjalë për një bllokim deri nesër në orën 12:00.

Një vit pas uljes së rrogës kontrollorët e trafikut ajror kanë vendosur që të bllokojnë fluturimet me një grevë e cila në fakt nuk lejohet nga ligji. Ndalimet e grevës për punonjësit e kontrollit ajror është shumë e qartë në Kodin e Punës. Sipas nenit 197/5  të Kodit të Punës ndalohet greva për disa shërbime jetike, ku në shkronjën ç të pikës 2 të këtij neni thuhet qartë që ndalohet greva për shërbimet e kontrollit të trafikut ajror.

Ulja e pagave të kontrollorëve të trafikut ajror ka ndodhur si pasojë e rënies së fluturimeve në aeroportin e Rinasit  si pasojë e pandemisë që ka sjellë pezullim të tyre në të gjithë botën. Gjatë 2019 kontrollorët e trafikut ajror kanë marrë pagë të plotë në bazë të trafikut ajror që mbulonte aeroporti i Rinasit, por që nga prilli 2020 paga e tyre ka pësuar ulje pasi vetë trafiku ajror ka rënë me -57 % ose thënë ndryshe aeroporti i Rinasit gjatë viti 2020 ka punuar me 43 % të trafikut ajror krahasuar me 2019, ku puna vijonte në kushte normale e pandikuar nga pandemia.  

Kjo është hera e parë që ndodh një protestë nga kontrollorët e ‘AlbControl’, të cilët kanë firmosur deklaratën e paaftësisë në punë për shkak të stresit të vazhdueshëm që kanë, ndikuar edhe nga pandemia. AlbControl është një kompani me kapital 100% shtetëror dhe në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës. 60 janë kontrollorët që kanë disa kërkesa që pritet t’i negociojnë.  Vitin e kaluar bordi i AlbControl i uli pagat mesatarisht 45%, ndërkohë që kontrollorët kanë firmosur kontratën e paaftësisë në punë edhe për shkak të stresit ndaj pandemisë, por nuk është marrë parasysh nga drejtuesit.

b.ha./Shqiptarja.com