Konventa e LSI, Kryemadhi bën thirrje për protesta: Të ngrihemi, kemi detyrime kombëtare

12 Janar 2019, 15:36

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi bën thirrje për nisjen e protestave. Nga Konventa Kombëtare e LSI, Kryemadhi tha se protesta e studentëve i dha një leksion politikës, por tashmë, sipas saj, është koha për marrjen e përgjegjësive kombëtare. Sipas saj, vendi sot po kalon momentet më të vështira. Ajo shtoi se protesta studentore i dha vendit shpresën e madhe se bashkë mund të fitohet, sipas saj, jo politikisht, por patriotikisht

Dua të bëj një sqarim për protestën e studentëve: ata nuk janë anëtarë të partive politike, ata janë fëmijët e shqiptarëve. Duke qenë të tillë është detyrimi ynë moral për t’u kujdesur për ta. Studentët ndezën përgjegjësinë publike që duhet të ketë çdo qytetar. Ne morëm një mësim të mirë nga ta, mësim që zgjoi sado pak revoltën brenda nesh. I kemi mbaruar detyrimet politike, tani kemi detyrime kombëtare. Në Fier të mbrojmë naftëtarët, në Bulqizë të mbrojmë minatorët. Të ngrihemi për biznesin e vogël dhe të mesëm. Të ngihemi për mjekët dhe infermierët. Të ngrihemi për pensionistët që marrin lëmoshë. 

Sot vendi ka një nga momentet e tij më të vështira, prandaj ne duhet të harrojmë idealin politik, sot e vetmja ideologji që duhet të qarkullojë, jo vetëm në LSI, por në gjithë klasën politike është vetëm një Shqipëria është shtëpia jone, atdheu, familja që duhet të kujdesemi si kujdesemi për shtëpinë tonë. Them sot një përkrahje të madhe për studentët që na dhanë dinjitet, shpresë, por mbi të gjitha na dhanë besim që të bashkuar do të fitojmë, jo politikisht, por për të fituar patriotikisht se sot është në diskutim çështja e vendit.

Duhet të sakrifikojmë cdo gjë, edhe jetën, se çdo prind e jep jetën për të ardhmen e sigurtë të fëmijëve të tij. Ju e dini shumë mirë se Shqipërisë iu premtuan 300 mijë vende pune, nuk pamë, por pamë mbi 400 mijë shqiptarë të larguar, por mijëra biznese të mbyllura dhe falimentuara, lot nënash që qanin se nuk kishin mundësi të ushqenin fëmijët. Kemi një mision: të kthejmë shqiptarët në Shqipëri që të ndërtojnë atdheun europian për të cilin kemi inspiruar. Ky është misioni ynë. E ardhmja e Shqipërisë janë djemtë dhe vajzat e shqiptarëve.

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI