Koordinatori i Reanimacionit: Situata në QSUT nuk është e mirë, e papranueshme që një mjek të infektohet dhe të infektojë pacientët

16 Qershor 2020, 21:42 | Përditesimi i fundit: 2020-06-17 11:51:22

Koordinatori i Spitalit Infektiv, Krenar Lilaj i ftuar në emisionin 'Repolitix' në Report TV thotë se situata në QSUT nuk është e mirë, kjo për shkak të rritjes së rasteve të shtuara së fundimi në spital. Sipas tij, nëse qytetarët nuk do të ndërgjegjësohen, situata do të agravohet.

"Situata në QSUT nuk është e mirë për shkak të të sëmurëve të infektuar që janë rritur ditët e fundit. Si pasojë edhe humbjet e jetëve do të jenë më të mëdha. Nëse gjithkush nuk bëhet i ndërgjegjshëm për rrezikshmërinë e kësaj sëmundje, kjo situatë do të agravohet. Nuk do të reshtim së thëni që gjithkush duhet të marrë masat në mënyrë që të shmangë infektimet ndaj kësaj sëmundje, e cila përbën rrezik për vetë pacientin, por edhe për të tjerët", tha Lilaj.