Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi sot padinë e Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe Dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, lidhur me kundërshtinë që ata i bënë vendimit të Këshillit të Ministrave për transferimin e pronësisë së Kopshtit Botanik nga Universiteti te Bashkia e Tiranës. Gjykata i ka dhënë kështu të drejtë pretendimeve të përfaqësuesit ligjor të Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës.
Gjykata Administrative e Apelit argumentoi sot se padia e Rektorit dhe e Dekanit është ngritur në kundërshtim me ligjin. Sipas saj, organi që mund të shqyrtojë këtë akt të Këshillit të Ministrave është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dhe për këtë qëllim padia e paraqitur nga universiteti duhet të rrëzohet dhe të mos merret në shqyrtim.