Dita ditës, vendin e artit figurativ ashtu si dhe skulptura, po e ze teknologjia në përditshmërinë e njeriut. Por në qytetin e Korcës nuk mungojnë artistet të cilët i jepin jetë këtij arti. Ai quhet Vasillaq Kolevica, një ndër mjeshtrat më në zë të qytetit juglindor. Një artist i veçantë i cili ka mbajtur gjallë prej vitesh traditën e bukur të qeramikës. Ai nuk ka hequr dorë prej artit të tij dhe vijon ta ushtrojë këtë pasion në atelienë e tij në Korcë. Atje çdo vizitor do të befasohej nga një numër i madh punimesh prej balte, me shumëllojshmëri ngjyrash e modelesh. Nga kjo mori punimesh duket se ky artist përcjell ndjesi humane dhe energji pozitive për cdokënd që ka mundësinë ti shohë nga afër. Historia e 60 vjeçarit nga Korca ka tërhequr vëmendjen e të gjithë artdashësve korcarë dhe jo vetëm. Kolevica e ka nisur rrugën e artit që në moshen 15 vjecare. Ai vjen nga një familje e shquar korçare, ku trashëgiminë e artit e ka fituar nga babai i tij piktor. Artisti tregon për Report Tv hapat e para drejt kësaj rruge si dhe vështirësitë e hasura.
Të flasësh për art do të duheshin orë të tëra, dhe përsëri s’do të mjaftonin. Ne kemi shijuar kënaqësinë e krijimit të një objekti prej balte që në detajet e para të saj. Ashtu si e tregon edhe vetë Kolevica, procesi i krijimit të një vazoje është i shkurtër, por koha që do të duhej për pjekjen e saj zgjat më tepër se 2 ditë. E më tej edhe vendosja e ngjyrave të përshtatshme do kohën e saj.
