Korçë, Çela mesazh prokurorëve: Ruani pavarësinë dhe qëndronin jashtë çdo ndikimi të jashtëm!

16 Tetor 2020, 20:47 | Përditesimi: 16 Tetor 2020, 20:47

Hetimi i krimit financiar ka shënuar ulje në qarkun e Korçës sipas raporteve të fundit dhe kjo ka sjellë dhe reagimin e ashpër të kryeprokurorit Olsian Çela, i cili u kërkoi prokuroreve që të shfrytëzonin çdo burim informacioni që lidhet me asetet kriminale, duke theksuar se nuk duhen neglizhuar as lajmet apo denoncimet që bëhen në media.

Është i rëndësishëm krijimi i seksioneve që do hetojnë krimin financiar. Numri i veprave penale që hetohen dhe lidhen me krimin financiar është i ulët në Korçë. Kjo imponon një qasje proaktive. Duhet të shfrytëzohet çdo informacion që lidhet me asetet kriminale. Nuk duhet neglizhuar informacioni i medias. Nuk mund të keni një rol pasiv dhe vetëm kështu mund të keni një rol cilësor. Është e domosdoshme që prokurorët të kenë një qasje proaktive në punën e tyre, përmes inicimit të hetimeve nisur nga të dhënat e marra prej çdo burimi, duke përfshire këtu edhe median, ndërkohë që duhet të koordinojnë hetimin me institucionet e tjera, edhe në bazë të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar mes institucioneve”, tha Çela.Çela u kërkoi prokurorëve të ruajnë pavarësinë dhe të qëndrojnë jashtë çdo ndikimi ndaj faktorëve të ndryshëm. Kryeprokurori vlerësoi si shumë të rëndësishëm procesin që do të nisë për zgjedhjen e drejtuesve të rinj në prokurori nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP duke theksuar se ky proces nuk duhet të ndikohet nga asnjë faktor i jashtëm përveç se nga merita profesionale dhe transparenca.   

b.ha./Shqiptarja.com