Korçë, Rama: Do ndërtojmë resortin e parë të skive! Basha s'i hyn në punë as dreqit, po erdhi në pushtet çelësat e drejtësisë do jenë në dorë të Saliut e Ilirit

5 Prill 2021, 20:37

Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Korçë tha se PS është e vetmja zgjidhje dhe zgjedhje për shqiptarët, pasi vetëm kjo forcë politike ka si synim përmirësimin e Shqipërisë dhe bërjen e saj një vend të denjë për fëmijët. Ndërsa e konsideroi Bashën si një organizator dasmash që mbledh njerëzit në kohë COVID në rrugë me dy gishta në dorë, tha se PD në pushtet do të sjell regres jo vetëm në projekte por edhe me reformën në drejtësi, pasi siç  Rama e cilësoi 'çelësat e drejtësisë së re do të bien në dorë të Saliut dhe Ilir, dy figurave më kundër kësaj reforme'.

Ndërsa e cilësoi opozitën si një përzierje partisë që " vjen era qepë dhe raki”, Rama tha se PD nuk mund t'u besohet më vota, pasi ata e kanë treguar se nuk mund të bëjnë dot punë.

Rama tha se në Korçë në 8 vite qyteti është kthyer në një pikë turiste, që nuk mendohej para se PS të merrte mandatin e parë dhe se programi i "Rilindjes urbane" mori hov pikërisht në këtë qytet. Me investimet në Korçë, Rama tha se shumë sipërmarrje të vogla janë ngritur duke nxitur ekonominë dhe punësimin në zonë.

Kyeministri foli edhe për vaksinimin masiv, ku tha se Shqipëria rendit në vendet me fashat më të larta të vaksinimit në Europë dhe se do të dalë shumë më shpejtë nga barra e tmerrshme e COVID-19.

Në lidhje me projektet e ardhshme, Edi Rama tha do të ndërtohet resorti i parë i skive në Nikolicë dhe se për këtë kanë filluar bisedimet me kompaninë nga Arabia Saudite “EMAAR”, që po ndërton edhe portin turistik të Durrësit.