Korçë, shitësi i bananeve vritet me sëpatë, flasin dëshmitarët

28 Janar 2020, 15:14 | Përditesimi i fundit: 2020-01-28 20:10:29

KORCE- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Korçës, ku një person i identifikuar si Dashnor Osmani 50-vjeç nga Pocesta është goditur me sëpatë nga bashkëfshatari i tij.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Pazarit të Korçës ku viktima punonte si shitës bananesh, ndërkohë që autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje të rëndë Zamir Topi 42-vjeç është arrestuar pak metra larg vendngjarjes dhe është shoqëruar në polici. Persona të rastësishëm të gjendur aty pranë kanë njoftuar ambulancën e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, por viktima nuk ka arritur të mbijetojë.

"Rastësisht kalova dhe e pashë që ishin mbledhur shumë njerëz. Mora 127 që të vinin ta ndihmonin por mbaroi ai. Kokën ia kishin mbuluar. Ishte mbuluar me gjak. Njerëzit thonin që e kishin goditur me sëpatë, por nuk e dimë çfarë ka ndodhur", thotë një prej dëshmitarëve.

"Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes", njofton policia.