Korçë/ U kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm në një fuoristradë, në pranga 3 persona

28 Tetor 2020, 14:40

KORÇË - Tre persona u arrestuan nga policia në Korçë pasi u kapën duke transportuar 7 emigrantë me qëllim kalimin e tyre në vendet e BE-së.

Policia arrestoi 3 të rinjtë, me iniciale E. L., 28 vjeç, E.M. 29 vjeç banues në Durrës si dhe R.H. 24 vjeç banues në Kavajë.

Në këmbim të pagesës, këta 3 persona po transportonin në mjetin tip "Benz ML" 7 emigrantë të paligjshëm në drejtim të kryeqytetit.

Destinacioni final i tyre ishin vendet e BE-së. Në momentin që policia i sinjalizoi për të ndaluar, të rinjtë nuk iu bindën urdhërit të tyre duke u larguar me shpejtësi.

Policia është vënë në ndjekje të dy mjeteve dhe bëri të mundur ndalimin e tyre dhe prangosjen e 3 shtetasve.

Gjithashtu, shtetasi E. L. ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë gjatë shoqërimit të tij për në ambientet e Komisariatit.

 Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".