Koronavirusi/ Abuzimet me rritjen e çmimeve në mars çojnë inflacionin në 2.1%

9 Prill 2020, 09:21

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe abuzimet në disa raste me to menjëherë pas përhapjes së COVID-19 edhe në vendin tonë, ka dhënë një rezultat pozitiv, pasi ka çuar në rritjen e inflacionit.

Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni i në muajin mars ka arritur në nivelin e 2.1%, duke u rritur me 1% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, ndërsa në raport me muajin shkurt inflacioni është rritur me 0.6%.

Ashtu siç edhe ishte e pritshme rritja më e lartë e çmimeve është vrenjtur tek grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 4,6 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 2,4 %, dhe grupi i  “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,7 %.

Rekord rritje në çmim kanë pësuar frutat të cilat janë rritur me 24,3 %. Gjatë vëzhgimeve të kryera nga Report TV nëpër tregje të vendit gjatë muajit mars, u vërejt një rritje e çmimit deri në 100 lekë tek portokallet, limonët, kivi dhe mollët.

Pas frutave renditen perimet me një rritje të çmimeve me 8.2%, e ndjekur nga nëngrupi i “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me një shtrenjtim të çmimeve me 3,5 %, “peshk” me 2,6 %. Një rritje e tillë e inflacionit nuk kishte ndodhur që nga viti 2018, dhe në këtë nivel që është aktualisht është shumë pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë për një inflacion në vlerën e 3%.